Mbrojtja e armaturës nga korrozioni
Sipas Eurokodeve të sotme është përcaktuar trashësia minimale e shtresës mbrojtëse të betonit (cnom). Trashësia e një shtrese të tillë betoni është distanca më e vogël nga sipërfaqja e jashtme e elementit prej betoni të armuar deri te armaja e parë. Te elementet lineare kjo është stërkalla, ndërsa te elementet sipërfaqësore kjo është armatura gjatësore e poshtme. Shtresa nominale mbrojtëse përcaktohet si: cnom = cmin + Δcdev
cmin është shtresa minimale mbrojtëse e parashikuar, vlera e së cilës varet nga kushtet e aderimit të betonit dhe armaturës, kushtet e mjedisit, veshjet mbi armaturë, etj. Δcdev është vlera që përfaqëson devijimin gjatë realizimit. Në varësi të klasës së ekspozimit të elementit prej betoni të armuar ekzistojnë vlera të ndryshme të shtresës nominale mbrojtëse; ajo zakonisht varion nga 2,5 cm deri në 3,5 cm. Për themelet merret se është 5cm.

Sjellja e llaçit të çimentos dhe e betonit gjatë ngrohjes dhe ftohjes së shpeshtë
Fortësia e betonit të freskët mund të rritet shpejt me ngrohje graduale me avull ose duke e mbajtur në ujë të ngrohur gradualisht, e pastaj me ftohje të lehtë. Në këtë mënyrë, pas një procedure njëditore, arrihen fortësi deri te të cilat në procedurën e zakonshme arrihet vetëm pas disa javësh. Shkalla e veprimit varet nga çimentoja dhe lloji i agregatit, ndërsa megjithatë me beton të varfër arrihen rezultate shumë më të mira sesa me beton të yndyrshëm.
Në rast se ngrohja dhe ftohja kryhen në kufij të gjerë, në elementin prej betoni do të shfaqen sforcime të konsiderueshme nëse ngrohja dhe ftohja bëhen shpejt. Në një rast të tillë, e sidomos kur përsëriten shpesh, duhet llogaritur shfaqja e çarjeve që depërtojnë nga jashtë drejt brendësisë duke ndikuar në karakteristikat mekanike të betonit. Në këtë drejtim, çimento të ndryshme sillen ndryshe, prandaj për përdorim praktik rekomandohet zgjedhje e kujdesshme e çimentos.
Përçueshmëria termike e betonit
Koeficienti i përçueshmërisë termike të betonit varet nga vetitë e agregatit dhe të çimentos, nga sasia e çimentos, sasia e ujit për përgatitje, lagështia e betonit, si edhe nga niveli i temperaturës. Me prova me pllaka 10 cm të trasha dhe prej betoni shumë të tharë, është përcaktuar se koeficienti i përçueshmërisë termike λ është 1,163 W/mK në 10 oC, ndërsa me pllaka prej betoni që ka qëndruar në ujë arrin deri në 2,326 W/mK. Pllakat më të trasha jepnin koeficientë më të mëdhenj të përçueshmërisë termike; vlera më e madhe ishte 2,38 W/mK.
Zgjerimi i betonit nga nxehtësia
Zgjerimi varet në masë të madhe nga agregati, pastaj nga lagështia e betonit, si edhe nga vetë çimentoja. Vlerat kufitare të njohura deri tani në 0 deri 40 oC janë rreth 6 deri 13*10-6 m/m për çdo gradë.
Rezistenca ndaj ngarkimit të shpeshtë
1. Qëndrueshmëria në shtypje ndaj lodhjes. Përcaktimi i qëndrueshmërisë ndaj lodhjes është përdorur këtu në kuptim të përgjithshëm; për zbatim teknik duhet të shënohen gjithmonë qëndrueshmëritë ndaj lodhjes (shtypje, tërheqje, shtypje dhe tërheqje të alternuara, përkulje, prerje, prerje e pastër, përkulje anësore) si dhe mënyra e ngarkimit (vetëm e qetë, vetëm e shpeshtë, pjesërisht e qetë dhe pjesërisht e lëkundur).
Qëndrueshmëria në shtypje gjatë lodhjes nga ngarkesa e qetë: duhet të pritet që rezistenca ndaj ngarkesës afatgjatë të jetë të paktën ¾ e qëndrueshmërisë që shfaqet gjatë provës së zakonshme në shtypje.
Rezistenca në shtypje gjatë lodhjes nga ngarkesat e shpeshta (rezistenca bazë dinamike): është treguar se rezistenca bazë dinamike në shtypje e shtyllave prej betoni me përbërje të ndryshme, veçanërisht me sasi të ndryshme çimentoje dhe me granulometri të ndryshme, arrin të paktën 0,5 të rezistencës së prizmit nën ngarkesë të zakonshme deri në thyerje. Gjatë kësaj janë kryer 260 cikle ngarkimi në minutë; numri i përgjithshëm i cikleve për të cilat u përcaktua kjo rezistencë bazë dinamike ishte dy milion. Me rritjen e numrit të cikleve në minutë (u provua me 10 deri 450 cikle në minutë), u rrit edhe numri i përsëritjeve që çonte në thyerje.
Rezistenca në shtypje ndaj lodhjes si pasojë e veprimit të njëkohshëm të ngarkesave të qeta dhe të përsëritura: Kur ngarkesave të përsëritura u shtoheshin ngarkesa të qeta, atëherë me rritjen e ngarkesave të qeta binin vlerat e amplitudave të ngarkesave të përsëritura, të cilat përndryshe përsëriteshin dy milionë herë. Për shembull, fig. 1 tregon se amplitudat e ngarkesave të përsëritura S ishin:
- në ngarkesë të qetë për σu = 6 kg/cm2 S = 109 kg/cm2
- në ngarkesë të qetë për σu = 118 kg/cm2 S = 39 kg/cm2
- në ngarkesë të qetë për σu = 157 kg/cm2 S = 8 kg/cm2

Fig. 1

Fig. 2
2. Rezistenca në përkulje e betonit gjatë lodhjes. Provimet e paraqitura në fig. 2 për trarët që janë mbajtur vazhdimisht në gjendje të lagësht, treguan, gjatë ngarkesës bazë dinamike, se rezistenca në përkulje gjatë lodhjes është 28 kg/cm2, ndërsa rezistenca e zakonshme në përkulje ishte 53 kg/cm2, që i përgjigjet raportit 0,53.
Beton i lehtë
Betoni i lehtë (beton me peshë nën 18 kN/m3) përftohet me përdorimin e agregateve të lehta, poroze, si: puzolan, skorie nga furrat e larta, skorie kazanësh; gjithashtu me përdorimin e llaçit nga rërë dhe miell natyror ose artificial me shtesa që gjatë përgatitjes së llaçit zhvillojnë gaze (beton me gaz) ose shkaktojnë shkumëzim në llaç (beton shkumë).
Betoni i lehtë, ndër të tjera, përdoret shumë për prodhimin e blloqeve për muraturë dhe pllakave prej gurit shtuf për mure dhe çati; në gjendje të thatë është përçues i dobët i nxehtësisë; qëndrueshmëria është e moderuar, por përpunohet lehtë, kështu që mund të prodhohen me siguri blloqe të lehta për muret mbajtëse të ndërtesave të banimit.
Si mjet për krijimin e gazrave në betonin e gazuar përdoret pluhur alumini. Në varësi të sasisë së përzierjeve, si edhe të kushteve të tjera, fitohet material më pak ose më shumë poroz, me peshë në gjendje të thatë prej rreth 3 kN/m3 e më tej.
1. Pesha vëllimore e betonit të lehtë. Me shtuf natyror mund të garantohen pesha vëllimore – duke e marrë në gjendje të tharë në 105 oC – duke filluar nga 7 kN/m3 e lart, me qëndrueshmëri në shtypje 2 MPa. Pesha vëllimore që mund të pritet është përafërsisht shuma e agregatit dhe çimentos në gjendje të hedhur. Betoni i gazuar me pesha vëllimore mbi 8 kN/m3, si rregull, është teknikisht i papërshtatshëm.
2. Rezistenca në shtypje e betonit të lehtë. Për betonin e hedhur mund të arrihen pa masa të veçanta rezistenca prej 8 M Pa, ndërsa me zhavorr edhe deri në 12 M Pa. Nevojiten prova të vazhdueshme të përshtatshmërisë. Betoni poroz (betoni me gaz dhe betoni shkumë) është i përshtatshëm për mure mbajtëse vetëm pas ngurtësimit nën presion avulli. Me lëndë të para të përshtatshme mund të sigurohen peshë vëllimore prej 6 kN/m3 dhe rezistenca në shtypje prej 5 M Pa.
3. Rezistenca në përkulje e betonit të lehtë. Marrëdhënia ndërmjet rezistencës në përkulje dhe asaj në shtypje është treguar brenda kufijve të nevojave praktike relativisht e madhe, ndërsa me rritjen e rezistencave kjo marrëdhënie bie.
4. Shkalla e tkurrjes së betonit të lehtë. Shkalla e tkurrjes varet kryesisht nga elasticiteti i agregatit, si edhe nga sasia e përbërjes së çimentos së ngurtësuar; tkurrja e betonit të lehtë është më e madhe se tkurrja e betonit me zhavorr. Betoni nga grimcat e tullave tregoi gjatë një viti një shkallë të përgjithshme tkurrjeje prej rreth 0,65 mm/m. Elementet e sapodërguara prej shtufi natyror, për 14 m muaj, u shkurtuan për rreth 0,8 mm/m. Mostrat e betonit të gazuar dhe të betonit shkumor që ngurtësoheshin në ajër treguan tkurrje edhe shumë më të mëdha, madje mbi 2 mm/m. Nuk duhet harruar se çdo beton, gjatë lagies nga shiu dhe bora e shkrirë, fryhet, ndërsa gjatë tharjes së mëvonshme përsëri tkurret.

Fig. 3
5. Koeficienti i përçueshmërisë termike. Koeficienti i përçueshmërisë termike bie me peshën vëllimore dhe, në kushte të tjera të njëjta, bëhet aq më i vogël sa më të vogla dhe sa më njëtrajtësisht të shpërndara të jenë poret e tij të ajrit. Për betonin e derdhur të thatë në ajër vlera ishte (λ = 0,4625 për 9 kN/m3; λ = 0,58 – 0,7 për 12 kN/m3; λ = 0,81 – 1,05 për 16 kN/m3). Për betonin me gaz të thatë në ajër të dhënat jepen në fig. 3.
SHËNIM:
- 0,1 kcal/mhoC = 0,1163 W/mK
- 0,1 kg/dm3 = 100 kg/m3 = 1 kN/m3